Prejardhja e emrit të Gjirokastrës ka një shpjegim mitik dhe dy të tjerë me natyrë më historike. Sipas legjendës, gjatë rrethimit përfundimtar të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj për të mos rënë e gjallë në duart e armikut. Që këtu rrodhi edhe emri “kalaja e Argjirosë”. (Por kjo duket e pamundur mbasi emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman). Sipas një shpjegimi tjetër më pak poetik, qyteti e ka marrë emrin sipas fjalës greke argjend, Argyrókastron, që lidhet me ngjyrën e përhime të mureve, rrugëve dhe çative prej guri, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu. Një shpjegim tjetër lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët. Për herë të parë emri i Gjirokastrës përmendet në shekullin XIII. Fillimet e qytetit te Gjirokastres sipas Studiusit Apollon Bace mendohet të jene në Shek XIII pas renies se Hadrianopolit. Kështjella e Gjirokastrës mendohet të jete filluar nga Prijësi Shqiptar Gjin Bue Shpata, i cili i dha dhe emrin qytetit, Gjinokastër.